Historia e CSO
Historia e organizatave jo-qeveritare në Kosovë mund të ndahet në dy periudha, para 1999 dhe pas 1999. Periudha e parë karakterizohet me një numër të vogël të OJQ-ve. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, një pjesë e madhe e shoqërisë u mobilizua për të punuar në baza vullnetare për mirëqenien e komunitetit. Në fakt, gjatë kësaj kohe, e gjithë shoqëria kosovare ishte mobilizuar për të ndihmuar njëri tjetrin, dhe punonte dhe vepronte si një OJQ.
Duke u bazuar në kushtet politike, ekonomike dhe sociale të kësaj periudhe në Kosovë, ky fenomen nuk konsiderohet edhe shumë i quditshëm. Në atë kohë, OJQ-te më shumë ndërmerrnin aktivitete humanitare dhe ofronin shërbime shëndetësore, (p.sh. Nëna Tereze), ose mblidhnin informata për shkeljen e të drejtave të njeriut (p.sh. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut).
Gjatë kësaj faze, shoqatat profesionale si p.sh. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Shoqata e Gazetarëve dolën në dritë dhe braktisën strukturën organizative të sistemit komunist dhe filluan të funksionojnë si shoqata të pavarura. Periudha e viteve para 1999 gjithashtu mund të karakterizohet nga një ambient kufizues për OJQ. Legjislacioni që u lejonte atyre regjistrimin ishte i limituar, ndërsa kushtet politike krijuan një situatë jo të mirë të sigurisë për aktivistët, të cilët konsideroheshin si armiq të qeverisë dhe regjimit.
Ambienti për OJQ ndërroi pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, kur shumë organizata ndërkombëtare erdhën në rajon dhe sollën me vete ekspertizë, fonde dhe projekte që kërkonin një sasi të madhe të burimeve njerëzore për tu implementuar. Si rezultat i këtij influksi, u shfaqën shumë organizata jo-qeveritare, shpesh të inkurajuara ose me insistim të OJQ-ve ndërkombëtare.
Me qëllim të legalizimit dhe rregullimit të aktiviteteve të tyre, më 15 Nëntor 1999, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), Bernard Kushner, nënshkroi legjislacionin e parë për regjistrim dhe funksionim të organizatave jo-qeveritare Rregulloren 1999/22. Më 9 Maj 2000, UNMIK-u promulgoi një akt ligjor që vuri në lëvizje këtë rregullore, e cila është në fuqi edhe më tej.
Rritja e shpejtë e OJQ-ve lokale erdhi si rezultat i prezencës së madhe të donatorëve ndërkombëtarë, legjislacionit të përmirësuar për regjistrim të OJQ-ve dhe kërkesave të komunitetit pas konfliktit. Duhet të ceket që një numër i konsiderueshëm i OJQ-ve u aktivizuan prej donatorëve, respektivisht në fushën e rindërtimit, ndihmës humanitare, programeve psikologjike sociale, etj.
Lëvizjet e shoqërisë civilë në Kosovë ende janë duke kaluar një transformim dhe gradualisht janë duke marrë një rol më konstruktiv në ndërtimin e një shoqërie demokratike. Aktualisht vërehet një ulje e fondeve në dispozicion, për shkak që qeveritë dhe donatorët tjerë ndërkombëtarë po i transferojnë fondet e tyre nga Kosova në rajone tjera të botës. Kjo nënkupton që edhe numri i organizatave aktive është më i vogël sesa atyre të regjistruara.
Supozohet se përafërsisht 500 organizata janë edhe më tej aktive. Përvoja e donatorëve tregon se shumë organizata janë ose të fjetura, ose kanë mungesë të kapaciteteve për të ndërmarrë ndonjë aktivitet domethënës.
Megjithatë, një numër i organizatave të shoqërisë civile kanë arritur një nivel të lartë të punës dhe reflektojnë qasje të qëndrueshme dhe profesionale drejt përmbushjes së misionit të tyre. Duke u përqëndruar në fusha të caktuara të punës, një numër i OJQve kanë krijuar rrejte dhe platforma të ndryshme sektoriale dhe janë shndërruar në faktorë të rëndësishëm të zhvillimit të shoqërisë kosovare në përgjithësi.

